Ministria e Arsimit dhe Shkencës u ka dërguar sot një qarkore të gjitha Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA), përmes së cilës kërkon nga shkollat fillore dhe ato të mesme të ulëta që të organizojnë plotësimin dhe grumbullimin e një deklarate të veçantë nga prindërit apo kujdestarët ligjorë të nxënësve të klasave 1-9.
Kjo masë lidhet me verifikimin e procesit të subvencionimit të teksteve dhe materialeve shkollore për vitin 2026-2027.
Përmes kësaj deklarate, prindi ose kujdestari ligjor zotohet zyrtarisht se mjetet e marra janë përdorur për blerjen e librave, nxënësi i ka ato në dispozicion dhe se është i vetëdijshëm për kontrollet e mundshme nga institucionet kompetente.
Po ashtu, prindërit marrin obligim që tekstet e destinuara për ripërdorim t’i kthejnë në shkollë në përfundim të vitit shkollor në gjendje të rregullt.
Shkollat do t’u shpërndajnë formularët nxënësve përfitues, ndërsa pas plotësimit dhe nënshkrimit, ato do të grumbullohen dhe evidentohen nga vetë institucionet arsimore.
Sipas njoftimit, i gjithë procesi i dorëzimit të deklaratave duhet të përfundojë deri më 1 tetor 2026.
