POLITIKË/Korqa: Kah po shkojmë si shoqëri? Kosovës i duhet më shumë bashkim e më pak urrejtje

Drejori i Institutit për Paqe dhe Siguri, njëherësh komentator politik, Burim Korqa, ka ngritur shqetësimin mbi nivelin e lartë të polarizimit dhe përçarjes në shoqërinë kosovare, duke bërë thirrje për reflektim dhe bashkim përballë sfidave të vendit.

​Përmes një reagimi, Korqa ka shtruar pyetjen se deri kur shoqëria do të vazhdojë me ndarje e urrejtje mes vete, ndërsa ka kritikuar përdorimin e çdo ngjarjeje për të nxitur mllef e përçarje në vend se ato të shërbejnë si pika bashkimi.

​”Në vend që të bashkohemi, të reflektojmë mbi gabimet tona dhe t’u japim zgjidhje problemeve që na dalin përpara, ne po gjejme arsye edhe aty ku nuk ka arsye, vetëm për t’u përçarë. Ky vend është krijuar me gjak, me mund e me sakrificë. Nuk kemi të drejtë ta dëmtojmë atë që është ndërtuar me aq shumë vuajtje,” ka deklaruar ai.

​Ai ka potencuar se Kosova sot ka nevojë për më shumë respekt e maturi, duke nëvizuar se mospajtimet politike apo ideologjike nuk duhet të cenojnë interesin shtetëror.

​”Jemi bërë ‘pika e pesë’ që thotë populli. Le të mos ia bëjmë vetes atë që dikush tjetër gjithmonë ka dashur të na e bëjë. Kosovës i duhet më shumë bashkim, më shumë respekt dhe më pak urrejtje. Mund të mos pajtohemi për shumë gjëra, por për Kosovën duhet të dimë të qëndrojmë bashkë,” ka përfunduar Korqa.

Shpërndaj me të tjerët