KRONIKË/Shqiptohen mbi 1700 gjoba dhe pezullohen 51 leje drejtimi brenda një jave në Gjilan

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor dhe stacioneve policore lokale, ka vazhduar zbatimin e planeve operative në terren me qëllim ngritjen e nivelit të sigurisë në trafikun rrugor.

​Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës kohore nga 25 shtatori deri më 1 tetor 2026, zyrtarët policorë kanë shqiptuar gjithsejtë 1,764 gjoba për kundërvajtësit e rregullave të komunikacionit.

​Përgjatë kësaj jave, veprimet e policisë janë fokusuar në parandalimin e shkeljeve më të shpeshta që uorën sigurinë e pjesëmarrësve në trafik.

Me këtë rast, u janë shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike 51 ngasësve, ndërsa janë ndëshkuar 74 shoferë për mospërdorim të rripit të sigurisë dhe 63 të tjerë për përdorim të telefonit gjatë ngasjes.

​Sa i përket aksidenteve, njësitet e trafikut kanë hetuar gjithsej 35 raste, prej të cilave 19 aksidente kanë pasur të lënduar, kurse 16 të tjera janë regjistruar vetëm me dëme materiale.

​Me qëllim të mbrojtjes së këmbësorëve, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë thirrje të gjithë ngasësve të mjeteve motorike që të shmangin ndalimin apo parkimin e veturave mbi trotuare.

Policia rikujton se trotuaret u takojnë këmbësorëve, fëmijëve dhe të moshuarve, ndaj bllokimi i tyre mund të bëhet shkak për rrezikimin e jetës së tyre. / dita24h /

Shpërndaj me të tjerët