SATIRIKE/ Koalicioni “Bashkimit”

Nga Sevdail Hyseni

Satirike

KOALICIONI I “BASHKIMIT”

Partitë politike u mblodhën me rend,
Për një listë unike, për në Parlament.
Kësaj radhe nuk e patën aq vështirë:
Të jesh deputet, a ka send më mirë?!

Kolltuku, paga dhe privilegje të tjera,
Benefitet varg e vi, që presin te dera;
Pastaj vijnë ekstra të mirat shtetërore,
Se të zgjedhurit dot s’mbeten pas dore.

Prandaj, garimi s’është aspak i lehtë,
Kur synon ta gëzosh postin si deputet.
Veçmas për ata n’prag pensioni, vërtet,
Do t’u buzëqesh fati i moshës së tretë.

Për ta zgjidhur problemin me parinë,
Lufta më e madhe zhvillohet n’Luginë.
Meqë liderët s’merren vesh në hap,
Ngarendin për Prishtinë, turr e vrap.

Për një bashkim me kompromis,
Në emër të popullit e të partisë;
Mirëpo, sa zgjat ky akt i besimit?
Deri sa të hapen kutitë e votimit!

Askush s’e di nga kandidatët sa ka fat,
Kush do të bëhet deputet në Beograd.
E dinë vetëm ata, me përvojën e pushtetit,
Si ta shfrytëzojnë mirë postin e deputetit!

Sa për popullin, dihet: kush ia qan hallin?
Mjafton që liderët ta marrin hallallin!
Se me bukën e gojës disi do të mbijetojmë,
E premtimet e vjetra prapë do t’i dëgjojmë.

Spica Metalike
(Karikatura marrë nga interneti)

Shpërndaj me të tjerët