HISTORIKE/KPP Gjilani fiton Kupën e Kosovës në pingpong për femra

Gjilan, 4 tetor 2026 – Klubi i Pingpongut të Femrave “Gjilani” ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm historik duke u shpallur fitues i Kupës së Kosovës në pingpong.

Ky është trofeu i parë i Kupës së Kosovës në histori për vajzat e KPP Gjilani, pas një paraqitjeje brilante ku i gjithë ekipi tregoi një formë të shkëlqyer gjatë gjithë garës.

​Në turneun e zhvilluar në Ferizaj, përbërja e ekipit me lojtaret Adea Kulla, Zana Bllaca, Olsa Zymberi dhe Malda Bllaca, ku tri luajtën në tabelë dhe njëra qëndroi në rezervë, funksionoi në mënyrë të përsosur.

Vajzat gjilanase zhvilluan ndeshje fantastike, pa asnjë gabim e pa asnjë vërejtje teknike, duke dominuar me lojë taktike, disiplinë dhe përkushtim të lartë.

​Rruga drejt trofeut ishte e mbushur me rivalitet të fortë dhe ndeshje mjaft dramatike.

Në ndeshjen gjysmëfinale, KPP Gjilani mposhti Vushtrrinë me rezultatin e ngushtë 3:2.

Po me të njëjtin rezultat e me lojë mjaft të fortë 3:2, vajzat gjilanase triumfuan edhe në ndeshjen finale përballë Prishtinës, duke vulosur kështu fitoren e madhe dhe ngritjen e trofeut historik.

​Pas këtij suksesi madhështor, i lumtur dhe me plot emocione u shpreh trajneri i skuadrës, Naser Hasani, i cili vlerësoi lart mundin dhe karakterin e treguar nga vajzat në parket: “Jam shumë krenar për secilën prej jush për punën, përkushtimin dhe mundin që e tregoni çdo ditë. Vazhdoni të shkëlqeni kështu edhe në çdo lojë tjetër,” ka thënë trajneri Hasani.

​Kjo fitore historike shënon një kapitull të ri të suksesit për pingpongun gjilanas dhe mbetet një moment i veçantë krenarie për të gjithë artdashësit e sportit në Gjilan./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët