SPORT/Turneu Revial i Karatesë shënoi 65-vjetorin e lindjes së heroit Nuhi Berisha

​Gjilan, 4 tetor 2026 – Në shenjë nderimi, respekti dhe mirënjohjeje për jetën dhe veprën e heroit Nuhi Berisha, me rastin e 65-vjetorit të lindjes së tij, u organizua Turneu Revial i Karatesë, një aktivitet sportiv dhe përkujtimor që bashkoi të rinj, sportistë, trajnerë dhe dashamirës të sportit.

​Në këtë turne morën pjesë karateistë nga klubet “Drita”, “AS” dhe “Arbëria”, të cilët para të pranishmëve demonstruan përgatitjen, disiplinën dhe shkathtësitë e tyre në disiplinën e kata-s.

Përmes paraqitjeve të tyre u dëshmua se sporti vazhdon të edukojë brezat e rinj me vlera të larta njerëzore, sportive dhe atdhetare.

​Programin e karateistëve e udhëhoqi kryetrajneri i Klubit të Karatesë “Drita”, Blerim Hajdari, i ndihmuar nga trajneri i Klubit të Karatesë “Arbëria”, Nexhmedin Isufi, të cilët u kujdesën për mbarëvajtjen dhe organizimin e demonstrimeve sportive.

​Në hapje të aktivitetit, para të pranishmëve foli Ahmet Isufi, i cili evokoi jetën dhe veprën e heroit Nuhi Berisha.

Ai foli për rrugëtimin, përkushtimin patriotik dhe kontributin e tij në shërbim të çështjes kombëtare, duke theksuar se Nuhi Berisha ishte shembull i guximit, sakrificës, disiplinës dhe dashurisë për atdheun.

​Pjesë e veçantë e turneut ishte paraqitja e karateistëve të rinj, të cilët me seriozitet dhe përkushtim dëshmuan nivel të mirë të përgatitjes sportive, duke fituar duartrokitjet e ngrohta të të pranishmëve.

Ky aktivitet tregoi se sporti nuk shërben vetëm për zhvillimin fizik, por edhe për edukimin e brezave me frymën e respektit, përgjegjësisë dhe bashkëpunimit.

​Në përfundim të turneut, Drejtoria për Rini, Kulturë dhe Sport ndau mirënjohje për të gjithë karateistët pjesëmarrës, duke vlerësuar kontributin e tyre në këtë aktivitet përkujtimor.

​Momenti më emocional i ngjarjes ishte ndarja e mirënjohjes post mortem për heroin Nuhi Berisha, për kontributin e tij të çmuar ndaj atdheut dhe për avancimin e sportit të karatesë.

Mirënjohja u nda nga kryetari i Klubit të Karatesë “Drita”, Arsim Ibrahimi, ndërsa në emër të familjes së heroit e pranoi nipi i tij, Bajram Berisha, njëherësh edhe organizator i këtij turneu.

​Ky aktivitet dëshmoi se sporti është një urë që lidh historinë me të ardhmen. Duke nderuar figurat që sakrifikuan për lirinë e vendit, brezat e rinj mësojnë të çmojnë vlerat e patriotizmit, disiplinës, respektit dhe përkushtimit.

​Lavdi e përjetshme heroit Nuhi Berisha! Qoftë i paharruar kujtimi dhe vepra e tij, ndërsa brezat e rinj u frymëzofshin gjithmonë nga shembulli i tij përmes sportit, edukimit dhe dashurisë për atdheun./dita24h /

Shpërndaj me të tjerët