Me motoqen “Kontrollohu për veten, për jetën!”, sot është mbajtur marshi sensibilizues në Gjilan, i cili shënoi edhe hapjen zyrtare të muajit të aktiviteve në kuadër të fushatës globale për ndërgjegjësimin dhe luftën kundër kancerit të gjirit.
Ky marsh përcolli një mesazh të fuqishëm solidariteti, ndërgjegjësimi dhe shprese për të gjithë qytetarët.
Gjatë gjithë muajit tetor do të zhvillohen aktivitete të shumta me qëllim kryesor përcjelljen e mesazhit jetik se diagnostikimi i hershëm shpëton jetë.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të shumtë të institucioneve lokale dhe shëndetësore.
Një falënderim i veçantë iu adresua Kryesueses së Kuvendit Komunal, drejtorëve të drejtorive komunale dhe të gjitha institucioneve për mbështetjen e tyre të pakursyer.
Po ashtu, u vlerësua lart bashkëpunimi me personelin shëndetësor të QKMF-së, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, organizatat joqeveritare, shoqërinë civile dhe qytetarët e pranishëm.
Kujdes i veçantë gjatë marshit iu kushtua grave të mbijetuara nga kanceri i gjirit, prania dhe guximi i të cilave u cilësuan si dëshmia më e fuqishme se kjo betejë mund të fitohet.
Ato mbeten shembulli i qëndresës dhe shpresës që na kujton se nuk duhet të dorëzohemi asnjëherë.
Organizatorët u bëjnë thirrje të gjitha grave dhe vajzave që të kujdesen për veten, të bëjnë kontrolle rutine me kohë dhe të mos i shtyjnë ato.
