DOKUMENT HISTORIK/Kush e shkroi dhe e lexoi komunikatën e parë që tronditi Zvicrën pas vrasjes së Zijah Shemsiut?

Lajmi për vrasjen mizore të patriotit, mësuesit dhe veprimtarit të shquar Zijah Shemsiu në qelitë e Burgut Qendror të Beogradit, kishte mobiluar dhe bashkuar si asnjëherë më parë mërgatën shqiptare në Zvicër.

Në një tubim të jashtëzakonshëm të organizuar nga Klubi „Ikballe Prishtina“ në Gjenevë dhe Klubi „Asim Vokshi“ në Lozanë, sallën e kishte kapluar heshtja e dhembjes dhe e krenarisë, derisa një veprimtar i ri doli para bashkatdhetarëve për të lexuar fjalët që do të shënonin zërin e parë publik të protestës dhe betimit për dëshmorin.

​Aty u zbulua se ishte pikërisht Ismet Rashiti ai që e kishte shkruar dhe që po e lexonte këtë komunikatë historike, duke i dhënë zë dhembjes e revoltës së mbarë mërgatës shqiptare, e cila dënonte ashpër terrorin serbomadh ndaj veprimtarëve të çështjes kombëtare.

​Teksti i plotë i komunikatës së lexuar nga Ismet Rashiti:

​„Të dashur shokë të Klubit ‘Ikballe Prishtina’!

Të dashur vëllezër dhe motra!

​Agu i ditës së 4 Majit të vitit 1985, mbeti i shkrirë në lotët e dhembjes dhe krenarisë të mbarë popullit shqiptar. U shkri në zemrat e grave, burrave, pleqve, rinisë e fëmijëve dhe mbeti i paharruar ndër vite e shekuj.

​Lindi dita e 4 Majit, e zbehur me dhembje të madhe, me ofshamën e thellë, me dënesjet e Kosovës, me lajmin e dhembshëm për vrasjen mizore të shokut dhe vëllaut tonë, mësuesit, djalit të popullit dhe revolucionarit të dalluar, ZIJAH SHEMSIU. E vranë shovinistët serbomëdhenj në qelitë e Burgut Qendror të Beogradit. E vranë në mënyrë mizore, me duarlidhur, me etjen që kishte për Kosovën, me dashurinë dhe bindjen e fortë për fitoren përfundimtare.

​Vdiq shoku ynë për të jetuar gjithmonë me popullin. Ra shoku ynë për të mos vdekur kurrë, për të jetuar sa jeta e popullit dhe me gjakun e tij që i fali Republikës së Kosovës. U bë simbol i qendresës dhe vendosmërisë, u bë emër i paharruar i faqeve më të ndritura të historisë më të re që po shkruan populli ynë me gjak.

​Të dashur shokë të Klubit ‘Ikballe Prishtina’. Lajmi për vrasjen mizore të shokut tonë Zijah Shemsiu na preku pa masë edhe ne punëtorëve kosovarë që punojmë në Lozanë me rrethinë. Ndjenim dhembje të madhe, por edhe krenoheshim me shembullin e qendresës së Shokut tonë Zijah Shemsiu, i cili me shpirtin e tij heroik, me guximin dhe vendosmërinë e madhe qëndroi i patundur përballë të gjitha torturave të UDB-së gjakatare. Shembulli i qendresës së shokut Zijah është vulosur thellë në zemrat tona, i cili do të mbetet i paharruar, i dashur dhe i gjallë.

​Ai na mësoi se si duhet luftuar e qëndruar për të drejta e liri, se për Kosovën nuk duhet kursyer edhe gjënë më të madhe e më të dashur – jetën në moshën më të re. Andaj erdhëm, shokë, në emër të Klubit Shqiptar ‘Asim Vokshi’, si vëllezër të një shpirti revolucionar, të një frymëmarrjeje të vetme që në këto momente edhe ne të nderojmë kujtimin e paharruar të shokut Zijah Shemsiu, t’i ndajmë dhembjet së bashku, të betohemi se së bashku do të marshojmë përpara, duke e pasur kurdoherë pranë edhe shokun Zijah, i cili na ndihmoi shumë në themelimin e klubeve, na porositi dhe na mësoi që të jemi kurdoherë të qëndrueshëm, unikë e të pandarë para çdo situate.“

​Kjo thirrje u përmbyll me zotimin e palëkundur dhe me thirrjet e fuqishme për liri: Lavdi kujtimit të pavdekshëm të shokut Zijah Shemsiu! Poshtë dhuna dhe terrori në Kosovë! Rroftë populli ynë trim dhe heroik! Rroftë Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi! Kosova Republikë! /dita24h /

Shpërndaj me të tjerët