Në një atmosferë të ngrohtë kolegiale, e shoqëruar me shumë emocione, mirënjohje dhe kujtime, u përmbyll rrugëtimi profesional në arsim i profesoreshës së njohur të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Remzije Ajeti Saqipi.
Prof. Remzije u lind më 8 tetor 1961 në fshatin Përlepnicë të Gjilanit, ku kreu edhe arsimin fillor. Shkollimin e mesëm e përfundoi në Gjilan, për të vazhduar më pas studimet në Fakultetin e Filologjisë, Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.
Karrierën e saj në arsim e nisi në vitin 1989 si mësimdhënëse në Shkollën e Mesme Ekonomike “Marin Barleti” në Gjilan.
Nga viti 2008 e deri në ditën e pensionimit, ajo shërbeu me përkushtim në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Dr. Asllan Elezi”, ku edhe përmbylli dekada të tëra pune arsimdashëse.
Gjatë tërë karrierës së saj, prof. Remzije shquhej për profesionalizëm, urtësi, maturi dhe përgjegjësi të lartë pune.
Qasja e saj me nxënësit, bashkëpunimi shembullor me prindër dhe kolegë, si dhe përkushtimi i pandërprerë për ngritjen e cilësisë në mësimdhënie, mbeten virtyte të çmuara që do të kujtohen gjatë.
Një kapitull më vete në biotropin e saj arsimore mbeten vitet e vështira të ’90-tave.
Në kohën kur regjimi serb mbylli dyert e shkollave shqipe, prof. Remzije nuk hezitoi për asnjë çast të vazhdonte misionin e saj në shtëpitë-shkolla, duke mbajtur gjallë arsimin dhe frymën kombëtare.
Koleget dhe bashkëpunëtorët shprehin mirënjohjen më të thellë për kontributin e saj të gjatë në edukimin e brezave, duke i uruar shëndet, lumturi dhe jetë të begatë në këtë kapitull të ri pranë familjes dhe miqve.
/ dita24h /
