GJILAN, 9 nëntor 2026– Karateistët e rinj kosovarë kanë shkëlqyer në Kampionatin Ballkanik për kadetë, juniorë dhe grupmoshën U21, i cili u mbajt në Stamboll të Turqisë.
Në mesin e sportistëve që lartësuan flamurin e Kosovës spikatën edhe tre garues nga Gjilani: Amar Daku, Erina Sherifi dhe Buron Nuhiu, të cilët u kthyen në shtëpi me medalje të bronzta.
Siç ka njoftuar Drejtori Sportiv i Federatës së Karatesë së Kosovës, Alban Beqiri, i cili njëkohësisht u priu si trajner kadetëve kosovarë drejt këtij triumfi, sportistët gjilanas dhanë një kontribut të madh në suksesin e përfaqësueses.
Amar Daku rrëmbeu medaljen e bronztë në garën individuale për kategorinë deri në 52 kilogramë, si dhe fitoi të bronzten në konkurrencën ekipore për kadetë, ku pjesë e ekipit fitues ishte edhe gjilanasi tjetër, Buron Nuhiu.
Ndërkaq, Erina Sherifi u stolis po ashtu me medalje të bronztë në garat ekipore për femra te kadetet, së bashku me koleget Alea Kelmendi, Rea Sejdiu, Klea Hasanaj dhe Artesa Alushaj.
Përfaqësuesja e Kosovës e përmbylli këtë Kampionat Ballkanik me gjithsej 10 medalje, prej të cilave shtatë u fituan në gara individuale dhe tri në ato ekipore.
Suksesin më të madh individual e arriti Emira Maqedonci duke u shpallur kampione me medalje të artë, ndërsa me të argjendta u stolisën Suela Arfi, Qëndresa Ibrahimi dhe Prijam Gashi.
Përveç Amar Dakut, medalje të bronzta në gara individuale morën edhe Alea Kelmendi e Krenar Ismajli. Dominimi i Kosovës u konfirmua edhe në garat ekipore, ku medalje të bronzta rrëmbyen ekipi i kadetëve te djemtë, ekipi i kadeteve te vajzat, si dhe ekipi i juniorëve te djemtë./dita24h/
