Në shkollën fillore “Nazmi Hoxha” në Gjilan është mbajtur një ligjëratë edukative për rëndësinë e shëndetit mendor dhe mirëqenies psikologjike, me pjesëmarrjen e nxënësve.
Ligjëratën e udhëhoqi specialisti i psikologjisë klinike, Besnik Sherifi, nga Qendra Labyrinth.
Gjatë ligjëratës u trajtuan tema të rëndësishme që lidhen me shëndetin mendor dhe emocional, dallimet ndërmjet tyre, shenjat dhe simptomat e çrregullimeve të shëndetit mendor, si dhe rëndësia e identifikimit dhe ndërhyrjes së hershme.
Vëmendje e veçantë iu kushtua mënyrave të menaxhimit të stresit, ankthit dhe emocioneve, kujdesit ndaj vetes, si dhe rasteve kur duhet kërkuar ndihmë profesionale.
Nxënësit patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të diskutojnë për çështje që ndikojnë në mirëqenien e tyre psikologjike, duke treguar interesim për temat e trajtuara.
Nga menaxhmenti i shkollës u shpreh mirënjohje për specialistin Besnik Sherifi për ligjëratën, si dhe për drejtoreshën dhe psikologen e shkollës për bashkëpunimin dhe kontributin në realizimin e këtij aktiviteti.
Aktivitete të tilla kanë rëndësi të veçantë në ndërgjegjësimin e nxënësve për shëndetin mendor, promovimin e mirëqenies emocionale dhe krijimin e një mjedisi shkollor ku secili nxënës ndihet i mbështetur dhe i sigurt.
