SPORT/Ndikim i madh nga banka, forma e shkëlqyer e Ylli Ibrahimit te Gjilani

​Ylli Ibrahimi po dëshmohet si një nga armët më të rëndësishme në skemat e skuadrës së Gjilanit, duke u shndërruar në lojtarin kyç të ndeshjeve të fundit pavarësisht se në fushë është futur si zëvendësues.

Duke vepruar zakonisht si mesfushor i avancuar, por duke mbuluar me sukses edhe pozicionin e mbrojtësit të majtë, ai ka sjellë energji dhe kthesa vendimtare në momentet më kritike të lojës.

​Në sfidën e zhvilluar në Klinë kundër Dukagjinit, Ibrahimi pati një ndikim të menjëhershëm pas kyçjes në lojë.

Fillimisht shtylla i mohoi një gol të sigurt, ndërsa në minutat e fundit të takimit u ndal në mënyrë të palejuar brenda zonës nga mbrojtësit vendas.

Pas rishikimit të situatës në sistemin VAR, gjyqtari akordoi drejtësisht penallti, nga e cila Gjilani realizoi golin e barazimit dhe siguroi një pikë të rëndësishme nga ky udhëtim i vështirë.

​Forma e shkëlqyer e futbollistit u konfirmua edhe në ndeshjen e fundit ndaj Malishevës, ku ai ishte sërish protagonist i drejtpërdrejtë në rezultatin final.

Në aksionin e golit të dytë të shënuar nga Arjol Bllaca, Ibrahimi bëri një depërtim vertikal dhe harkoi në zonë, ku topi i devijuar u shfrytëzua nga Bllaca për të shënuar me kokë.

Po ashtu, kontributi i tij ishte vendimtar edhe në ndërtimin e aksionit për golin e tretë.

​Me paraqitjet e treguara dhe cilësinë e lartë që ka shfaqur në fushë, forma aktuale e Ibrahimit mbetet një garanci e fortë dhe një shtysë e madhe për lojën e skuadrës në sfidat e ardhshme./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët