Në vigjilje të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit
Sot në Gjilan vlerësohet poezia e Ymer Elshanit
GJILAN – Më 27 nëntor 2026, duke filluar nga ora 12:00, në ambientet e Shkollës së Mesme të Ulët “Selami Hallaçi” në Gjilan, nderohet figura e shkrimtarit të shquar të letërsisë shqipe për fëmijë, Ymer Elshani, si dhe vlerësohet përmbledhja e tij poetike me titull “Kur vallëzojnë buzëqeshjet”. Përzgjedhjen dhe parathënien e këtij vëllimi e ka bërë prof. dr. Anton Nikë Berisha, ndërsa botimin e ka mundësuar shtëpia botuese “Faik Konica” nga Prishtina.
Për jetën dhe krijimtarinë letrare të shkrimtarit hero, Ymer Elshani, do të flasin Izet Abdyli, kryetar i Art Clubit “Rifat Kukaj” nga Drenasi, si dhe studiuesi i njohur i letërsisë sonë, Anton Nikë Berisha.
Poezi nga vëllimi i përzgjedhur “Kur vallëzojnë buzëqeshjet” do të deklamojnë nxënësit e shkollës “Selami Hallaçi”. Ata gjithashtu do të kenë mundësinë të shtrojnë pyetje dhe të bashkëbisedojnë rreth personalitetit atdhetar e letrar të Ymer Elshanit, i cili u ekzekutua mizorisht së bashku me familjen e tij dhe 46 civilë të tjerë në Masakrën e Poklekut nga forcat ushtarake serbe, më 17 prill 1999.
Kjo veprimtari letrare është pjesë e edicionit të 17-të të manifestimit tradicional “Vjeshta Letrare e Gjilanit” dhe organizohet nga asociacioni alternativ i shkrimtarëve të Kosovës me seli në Gjilan, Ars Clubi “Beqir Musliu”./dita24h/
