Shkruan: Avdyl Kastrati, ekonomist i diplomuar
Sa talente në Kosovë presin vetëm një mundësi për ta dëshmuar veten? Një sportist e ka fituar të drejtën për të garuar, por i duhen mjetet për udhëtim.
Një artist e ka gati shfaqjen, por i duhet mbështetje për ta sjellë në skenë. Një grup të rinjsh e ka idenë dhe ekipin, por i mungon financimi për ta realizuar projektin.
Bizneset në Kosovë mund t’ua krijojnë këtë mundësi. Përmes Ligjit për Sponsorizime, shteti nxit financimin e projekteve me interes publik në sport, kulturë dhe rini.
Biznesi zgjedh projektin që dëshiron ta përkrahë dhe, kur sponsorizimi realizohet sipas ligjit, përfiton zbritje nga tatimi vjetor në fitim.
Sipas marrëveshjes, biznesi mund ta promovojë edhe emrin ose logon e vet.
Sa i përket asaj se çfarë përfiton konkretisht biznesi, Ligji nr. 05/L-090 për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i ndryshuar me Ligjin nr. 06/L-116, përcakton në nenin 9, paragrafi 1, se sponsorizues mund të jetë person fizik ose juridik, vendor ose i huaj. Si SH.P.K.-të, ashtu edhe shoqëritë aksionare, mund të përfitojnë nga zbritja kur plotësojnë kushtet tatimore.
Konkretisht, për sportin parashihet zbritje deri në 30% të tatimit në fitim, sipas nenit 12, paragrafi 1, ndërsa për kulturën dhe rininë parashihet zbritje deri në 20% të tatimit në fitim, sipas nenit 12, paragrafi 2.
Nga ana tjetër, për përfituesin, të hyrat nga sponsorizimi i realizuar sipas ligjit janë të patatueshme, sipas nenit 12, paragrafi 4.
Për ta ilustruar këtë me një shembull konkret, le të marrim një kompani e cila ka 10.000 € tatim vjetor në fitim para zbritjes.
Nëse ajo paguan 3.000 € sponsorizim të vërtetuar për një klub sportiv, klubi merr 3.000 € për projektin, ndërsa detyrimi vjetor i kompanisë pas zbritjes bëhet 7.000 €.
Nëse, në një rast tjetër, kompania paguan 2.000 € për një shfaqje teatrore ose një program rinor, detyrimi vjetor pas zbritjes bëhet 8.000 €, kur plotësohen kushtet ligjore.
Ndërkaq, lidhur me atë se si paguhet sponsorizimi dhe si njihet zbritja në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), procedura është e qartë.
Fillimisht, biznesi dhe përfituesi lidhin marrëveshje të noterizuar, ku përcaktojnë shumën, projektin dhe aktivitetet që do të financohen.
Në ministrinë përgjegjëse dorëzohen kërkesa, projekti, marrëveshja dhe dokumentet e palëve.
Klubi sportiv paraqet kopjen e licencës sportive si dëshmi të licencimit dhe konfirmimin e anëtarësisë nga federata përkatëse, ku sipas nenit 21, paragrafëve 2 dhe 4, të Ligjit nr. 08/L-277 për Sport, klubi mund të jetë i regjistruar si OJQ, SH.P.K. ose SH.A.
Pas pranimit të vërtetimit nga ministria, biznesi e transferon shumën në llogarinë bankare të përfituesit. Më pas, biznesi e kërkon zbritjen në deklaratën vjetore CD në ATK dhe paraqet vërtetimin e sponsorizimit dhe dëftesën e pagesës.
Baza tatimore është neni 11, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1, i Ligjit nr. 06/L-105 për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, ndërsa paragrafi 4 i të njëjtit nen kërkon dëftesën e pagesës.
Marrëveshja dhe raporti financiar dorëzohen në ATK brenda 30 ditëve nga përmbushja ose përfundimi i marrëveshjes, sipas nenit 14, paragrafi 2, të Ligjit për Sponsorizime.
Në fund, përfituesi i përdor mjetet sipas projektit dhe marrëveshjes. Nëse sponsorizimi është për pajisje sportive dhe transport në gara, klubi i përdor mjetet për ato shpenzime, i dokumenton me fatura dhe dëshmi bankare dhe i raporton ministrisë për realizimin e projektit.
Për një biznes, sponsorizimi është një mënyrë e ligjshme për ta mbështetur një projekt që e zgjedh vetë.
Për një sportist, një artist ose një grup të rinjsh, ai kontribut mund të jetë mundësia që u ka munguar për ta dëshmuar veten./dita24h/
