Varrosen sot të vrarët në Gjilan

 

Familjarët kanë njoftuar se sot do të bëhet varrimi i babë e bir, Selami dhe Edmond Hasani, të cilët do të varrosen pas faljes së namazit të ikindisë në varrezat e qytetit të Gjilanit. Po ashtu, familjarët kanë bërë të ditur se në të njëjtën ditë do të varroset edhe Abedin Hoxha, viktimë tjetër e ngjarjes tragjike.

Të ndjerët janë viktimat e vrasjes së trefishtë që ndodhi dje rreth orës 12:30 në rrugën “Ibrahim Rugova” në Gjilan. Në këtë ngjarje tragjike, përveç Selamiut, Edmondit dhe Abedinit, djalit të Abedinit i është shkaktuar plagë dhe ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore.

Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim Mefail Shkodrën dhe dy djemtë e tij, Edonis e Engjull Shkodra, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Mefail Shkodra, i njohur për stilin e tij të jetesës luksoze, ishte arrestuar në qershor të vitit 2024 së bashku me djalin e tij, nën dyshimin për veprat penale “fajde” dhe “detyrim”.

Ngjarja e rëndë ka tronditur komunitetin e Gjilanit, ndërsa hetimet vazhdojnë në përpjekje për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe arrestimin e personave të dyshuar.

 

Shpërndaj me të tjerët