GJILAN – Këshilltari komunal nga radhët e LDK-së, Muhadin Haziri, ka sqaruar arsyet e qëndrimit të tij në seancën e fundit të Kuvendit Komunal në Gjilan, pavarësisht faktit se kolegët e tij opozitarë braktisën sallën.
Përmes një komunikate, Haziri theksoi se vendimi i tij erdhi si rrjedhojë e bindjes personale dhe nevojës për të qenë konstruktiv në proceset që prekin interesin e qytetarëve.
Gjatë seancës u trajtuan pikat për themelimin e komiteteve të KK-së dhe zgjedhja e përfaqësuesve për Asociacionin e Komunave të Kosovës.
Haziri sqaroi se, ndërsa subjektet e tjera lëshuan sallën në shenjë pakënaqësie ndaj propozimeve të Lëvizjes Vetëvendosje, ai zgjodhi të qëndrojë për të ushtruar të drejtën e tij të votës.
“Unë personalisht mbeta në seancë, edhe pse isha kundër. Konsideroj se kjo është demokracia, vota është vendimtare,” u shpreh Haziri.
Ai hodhi poshtë pretendimet për prapavijë politike, duke bërë të ditur se ka votuar kundër emërimit të anëtarëve të komisioneve të aksionarëve, duke mbetur vota e vetme kundërshtuese përballë 18 votave “pro”.
Haziri bëri thirrje për një bashkëpunim më të mirë mes pozitës dhe opozitës, duke theksuar se faktet nuk duhet të shtrembërohen. Ai e përmbylli reagimin e tij me një urim për muajin e shenjtë të Ramazanit, duke u dëshiruar të gjithë besimtarëve agjërim të lehtë dhe pranim të iftarit.

