Fakulteti i Shkencave Sociale harton planin për zbatimin e rekomandimeve të akreditimit

GJILAN – Fakulteti i Shkencave Sociale ka mbajtur një punëtori tematike të fokusuar në procedurat pas-akredituese për programin studimor Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Evropiane.

Takimi kishte për qëllim hartimin e një strategjie konkrete për zbatimin e rekomandimeve të dala nga procesi i fundit i akreditimit.

Gjatë këtij aktiviteti, stafi akademik, ai administrativ dhe studentët analizuan me hollësi standardet e kërkuara dhe evidencat e mbledhura, duke synuar harmonizimin e plotë të programit me kërkesat e Agjencisë së Akreditimit.

Angazhim për cilësi dhe transparencë Në këtë punëtori u përcaktuan hapat konkretë, afatet kohore dhe ndarja e përgjegjësive për secilin rekomandim.

Fokus i veçantë iu dha sistemimit të provave mbështetëse, proces ky që garanton transparencë dhe qëndrueshmëri në rrugëtimin institucional të fakultetit.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, u shpreh se ky proces nuk duhet parë thjesht si një detyrim teknik, por si një platformë për avancim të mëtejshëm.

“Procesi pas-akreditues nuk është vetëm një obligim formal, por një mundësi reale për reflektim dhe përmirësim të vazhdueshëm. Përmes analizës së rekomandimeve dhe hartimit të një plani konkret veprimi, ne po forcojmë cilësinë akademike dhe përputhshmërinë me standardet më të mira evropiane,” deklaroi Dekani Daku, duke vlerësuar lart përkushtimin e stafit dhe studentëve.

Monitorimi i vazhdueshëm, kyç për suksesin Në përfundim të takimit, u dakordua që zbatimi i planit të monitorohet në mënyrë periodike.

Ky koordinim i ngushtë ndërmjet strukturave akademike dhe administrative synon të sigurojë që programi të mbetet bashkëkohor, konkurrues dhe plotësisht i akorduar me nevojat e tregut dhe standardet ndërkombëtare.

Përmes këtij hapi, Fakulteti i Shkencave Sociale rikonfirmon vullnetin për të ofruar arsim cilësor dhe për të konsoliduar pozitën e tij si një institucion i rëndësishëm i arsimit të lartë.

 

Shpërndaj me të tjerët