“Mësimet e tij më kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës”, Ismet Sylejmani ritakohet me ish-profesorin
Ismet Sylejmani ka ndarë emocionet nga takimi i tij me ish-profesorin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Musa Musliu, në Gjilan, duke e cilësuar atë si një nga profesorët që ka lënë gjurmët më të thella në formimin e tij njerëzor, intelektual dhe atdhetar.
Sylejmani ka kujtuar vitet e shkollimit në Shkollën e Mesme “Mehmet Isai” në Gjilan, duke theksuar ndikimin e madh që profesori Musa Musliu pati në formimin e tij.
“Profesor Musa Musliu nuk ishte vetëm profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Ishte edukator brezash, njeri i dijes, i kulturës atdhetare dhe frymëzues i ndërgjegjes kombëtare”, ka shkruar Sylejmani.
Sipas tij, ish-profesori, përveç njohurive në gjuhë dhe letërsi, te nxënësit kultivoi edhe vlera si disiplina, korrektësia, përgjegjësia, dashuria ndaj dijes dhe qëndrueshmëria morale.
“Me shembullin e Tij, Profesori kultivoi tek unë pedantërinë në punë, disiplinën në veprim, korrektësinë në çdo marrëdhënie, qetësinë në vendimmarrje dhe dashurinë e pashuar ndaj dijes e mësimnxënies”, ka shkruar ai.
Sylejmani ka kujtuar edhe periudhën pas vitit 1981, kur, sipas tij, në rrethana të vështira, profesori Musa Musliu i edukoi nxënësit që ta mbronin gjuhën, kulturën, historinë dhe dinjitetin kombëtar.
Ai ka thënë se, pavarësisht viteve të kaluara dhe rrugëtimit të tij jetësor e profesional, gjatë takimit me ish-profesorin u ndje sërish si nxënës.
“Megjithëse nga viti 1983, kur jam ndarë nga bankat e shkollës nga Ai, pavarësisht tërë asaj që kam kaluar dhe realizuar në karrierën time politiko-patriotike në LPK e ushtarake-çlirimtare në UÇK, në shërbim të popullit, Atdheut dhe Kombit, para Tij ndihesha jo vetëm i vogël, por edhe i ndrojtur”, ka shkruar Sylejmani.
Në fund, ai e ka falënderuar ish-profesorin për çdo mësim dhe vlerë të përcjellë, duke e cilësuar si edukator të madh, formues karakteresh, atdhetar të përkushtuar dhe udhërrëfyes.
“Profesorët si Musa Musliu nuk harrohen kurrë. Profesorët si Musa Musliu jetojnë jo vetëm me veprën e tyre, por edhe në sukseset e nxënësve dhe në kujtesën e një kombi”, ka përfunduar Sylejmani.
