Betim Maliqi nga Gjilani debuton në “Karate One Premier League” në Romë

Karateisti i Klubit të Karatesë “Katana” nga Gjilani, Betim Maliqi, do të debutojë në një nga garat më prestigjioze të karatesë në botë, Karate One Premier League, e cila do të mbahet nga 13 deri më 15 mars në Romë të Italisë.

Në këtë garë marrin pjesë 32 karateistët më të mirë të renditur në botë në secilën kategori, duke e bërë këtë event një nga kompeticionet më të forta dhe më të rëndësishme në kalendarin ndërkombëtar të karatesë.

Pranë Betimit gjatë këtij eventi do të jetë edhe kryetrajneri i klubit “Katana” dhe njëherësh trajneri i Përfaqësueses së Kosovës për senior, Agron Tosuni, i cili do ta udhëheqë dhe mbështesë në këtë sfidë të madhe ndërkombëtare.

Betim Maliqi është kampion i Kosovës në karate, ndërsa për sukseset e tij është shpallur edhe Sportisti i Vitit 2025 në Gjilan, duke konfirmuar formën dhe potencialin e tij në këtë sport.

Pjesëmarrja në Karate One Premier League konsiderohet një arritje e madhe për çdo sportist, pasi në këtë garë përballen vetëm karateistët më të mirë në botë.

 

Shpërndaj me të tjerët