Rexhepi: Prioritet e kemi zhvillimin e arsimit dual dhe atë profesional
Drejtori i Arsimit, Jeton Rexhepi, priti në takim përfaqësuesit e projektit të Qeverisë së Gjermanisë “Aftësim për Tregun e Punës”, i cili zbatohet nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ).
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimin dhe zbatimin e arsimit dual profesional në Komunën e Gjilanit, si një model që ndërlidh mësimin teorik në shkollë me praktikën profesionale në kompani private.
“Një ndër temat kryesore ishte edhe diplomimi i gjeneratës së dytë të nxënësve në profilet automekanik dhe kuzhinier, një arritje e rëndësishme në avancimin e arsimit profesional dhe përgatitjen e të rinjve për tregun e punës”, tha drejtori Rexhepi.
Ai tregoi se në takim morën pjesë edhe përfaqësues të dy shkollave të mesme profesionale, “Mehmet Isai” dhe “Sahit Baftiu”, të cilët ndanë përvojat e tyre në zbatimin e këtij modeli arsimor.
“Drejtoria e Arsimit në Gjilan, mbetet e përkushtuar për zhvillimin e mëtejmë të arsimit profesional, ndërsa arsimi dual mbetet një nga prioritetet kryesore në arsimin e mesëm të lartë të komunës”, tha drejtori Rexhepi.
