Spitali i Gjilanit në renovim, priten reduktime të shërbimeve

Spitali i Gjilanit në renovim: Qytetarët njoftohen për reduktim të përkohshëm të shërbimeve

Menaxhmenti i Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan ka njoftuar qytetarët, përkatësisht shfrytëzuesit e shërbimeve shëndetësore, se aktualisht institucioni ndodhet në fazën e renovimit të hapësirave kryesore, proces që pritet të zgjasë rreth dy vite.

Për shkak të këtyre punimeve, nga spitali bëjnë të ditur se gjatë kësaj periudhe do të ketë reduktim të kapaciteteve të shërbimeve, megjithatë theksohet se personeli profesional do të vazhdojë të angazhohet maksimalisht për t’u ofruar qytetarëve shërbimet e nevojshme.

Sipas menaxhmentit, Spitali i Gjilanit aktualisht gëzon mbështetje të vazhdueshme nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, për realizimin e projekteve të rëndësishme dhe për arritjen e synimeve zhvillimore të institucionit.

Në njoftim thuhet gjithashtu se gjatë kësaj kohe spitali po përballet edhe me mungesë të disa profileve të profesionistëve shëndetësorë, por se janë duke u ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen sa më të shpejtë të këtij problemi.

Menaxhmenti i spitalit ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve gjatë kësaj periudhe tranzitore, ndërsa ka siguruar se në rast të ndonjë pakënaqësie të evidentuar ndaj personelit shëndetësor, do të ndërmerren masat adekuate sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi.

Shpërndaj me të tjerët