Ka nisur zyrtarisht projekti për rindërtimin e kadastrit në Komunën e Gjilanit, një proces ky që synon rregullimin dhe saktësimin e dokumentacionit pronësor për qytetarët.
Lajmin e ka bërë të ditur asambleisti i LVV-së dhe ish-drejtori i Kadastrës, Bekim Salihu, pas takimit të parë me banorët e fshatit Livoq i Epërm.
Salihu u ka bërë thirrje të gjithë banorëve që të bëhen pjesë e këtij projekti, pasi kjo është një mundësi e rrallë për rregullimin e dokumentacionit kadastral pa asnjë kosto financiare.
Pse duhet të bëheni pjesë e këtij projekti? Sipas Salihut, përfitimet për qytetarët janë të shumta dhe direkte:
- Rregullimi falas i dokumentacionit kadastral;
- Rritja e vlerës dhe sigurisë së pronës;
- Përcaktimi i saktë i kufijve kadastralë;
- Matja e objekteve për procesin e legalizimit;
- Lehtësimi i procesit të trashëgimisë, që shpesh është problematik.
Takimet informuese do të vazhdojnë edhe në zonat e tjera të komunës, ashtu siç janë njoftuar banorët paraprakisht.
Qytetarët inkurajohen të njoftojnë fqinjët dhe bashkëfshatarët e tyre që të mos e humbasin këtë mundësi për sigurimin legal të pasurisë së tyre paluajtshme.

