Elbasan Shabani takon OSBE-në, adresohen sfidat e komuniteteve dhe Ligji për të Huajt

Drejtori i Administratës në Komunën e Gjilanit, Elbasan Shabani, ka pritur në një takim pune asistenten e OSBE-së për komunitetet, Vjollca Emini. Fokus i këtij takimi ishte trajtimi i sfidave specifike me të cilat përballet komuniteti RAE (Rom, Ashkali dhe Egjiptian) në këtë komunë.

Gjatë bashkëbisedimit u diskutua gjerësisht mbi Ligjin për të Huajt dhe ndikimin që ky ligj ka te pjesëtarët e këtij komuniteti.

Po ashtu, u adresuan problematika të ndjeshme që lidhen me: pajisjen me dokumentacion personal,  procesin e integrimit shoqëror dhe lehtësimin e qasjes në shërbimet publike.

Drejtori Shabani dhe përfaqësuesja e OSBE-së vlerësuan takimin si një mundësi të mirë për të shkëmbyer informata dhe për të koordinuar hapat e ardhshëm.

Synimi i përbashkët mbetet përmirësimi i kushteve të jetesës dhe avancimi i të drejtave të komuniteteve, duke siguruar që asnjë qytetar i Gjilanit të mos mbetet jashtë vëmendjes institucionale.

 

Shpërndaj me të tjerët