Poezia e Avdush Canajt përfaqëson një shembull të qartë të lirikës moderne shqiptare për fëmijë, ku imagjinata, ndjeshmëria dhe figura poetike ndërthuren në mënyrë organike.
Origjinaliteti i tij nuk qëndron te temat, të cilat janë universale, por te mënyra e përpunimit artistik, te metaforat e freskëta, personifikimet e natyrshme dhe rrjedha e lirë e vargut.
Në këtë kuptim, poezia e tij afrohet me prirjet e lirikës moderne evropiane.
Kështu, Canaj konsiderohet një zë i dallueshëm dhe bashkëkohor, që e largon poezinë për fëmijë nga modeli didaktik tradicional dhe e afron me përjetimin estetik dhe botën e lirë të imagjinatës.
Shembull tipik kemi këte poezi antologjike.
DEGËVE QË BËHEN NUSE
Avdush CANAJ
Si mua
e si ty,
i doli gjumi heshtjes,
mjegull e butë
mbi pemët pëshpëritëse.
Si ti
e si unë,
luajmë me pranverën
degëve që bëhen nuse,
dielli na miklon faqet
me dorën si të nënës,
hija e ditës s’matet dot me ne.
Kur u lodh,
si unë
e si ti,
ia fshiva djersët,
sytë e përgjumur
lëshonin dritë mbi gjeth.
Pas një përralle
të vogël,
sa kopsa e buburrecit,
ma tregoi derën e magjisë.
E hapa
me çelësin e fluturës.
Një pëllumb më mori
në krahët e gjumit,
fluturonte me mua
mbi dritën e lumturisë.
Kur u zgjova,
në sytë e ditës,
lumturia rritej në çdo gjeth,
në çdo frymë të ajrit,
dhe në heshtjen
që këndonte për ne.

