Nën patronatin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, të mërkurën më 15 prill, qyteti do të shënojë 27-vjetorin e “Epopesë së UÇK-së – Beteja e Zhegocit”.
Ky përvjetor, i organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta, do të përcillet me një varg aktivitetesh për të nderuar sakrificën e dëshmorëve.
Dita do të nisë me një rëndësi të veçantë edukative, ku ora e parë e mësimit në të gjitha shkollat e Komunës së Gjilanit do t’i kushtohet historisë dhe rëndësisë së Betejës së Zhegocit.
Për të gjithë ata që dëshirojnë të bëjnë ndere, kjo është agjenda zyrtare e aktiviteteve:
Ora 10:00 – Homazhe te Kompleksi i Varrezave të Dëshmorëve në Gjilan.
Ora 12:00 – Homazhe te Kompleksi i Varrezave të Dëshmorëve në fshatrat Zhegoc dhe Kishnapole.
Ora 17:00 – Akademi për Epopenë e Zhegocit, e cila do të mbahet në Teatrin e Qytetit në Gjilan.
Ky përvjetor shënon njërën nga betejat më të lavdishme të Zonës Operative të Karadakut, duke kujtuar trimërinë e luftëtarëve të UÇK-së që ranë për lirinë e Kosovës.
Krerët komunalë kanë ftuar qytetarët që t’u bashkohen aktiviteteve në nderim të veprës së dëshmorëve.

