Kryetari i deritanishëm i degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Gjilan, Nazim Gagica, ka bërë të ditur se nuk do të kërkojë një mandat të ri në procesin e brendshëm zgjedhor që pritet të përfundojë në maj.
Përmes një njoftimi publik, Gagica e ka cilësuar këtë si një “vendim të menduar dhe përfundimtar”, duke sqaruar se nuk do të jetë kandidat për kryetar e as për ndonjë pozitë tjetër organizative brenda degës. Megjithatë, ai ka theksuar se ky vendim nuk nënkupton largimin e tij nga angazhimi politik, por një hap drejt një riorganizimi dhe vizioni të ri.
Më poshtë mund ta lexoni postimin e tij të plotë, pa ndërhyrje:
Vendim politik, i menduar dhe përfundimtar
Të nderuar aktivistë, bashkëpunëtorë dhe qytetarë,
Procesi i zgjedhjeve të brendshme në Aleancë, i cili tashmë ka filluar dhe pritet të përmbyllet në fillim të muajit maj, përbën një moment të rëndësishëm reflektimi dhe riorganizimi politik.
Pas një analize serioze dhe një reflektimi të sinqertë, kam vendosur që në këtë proces të mos jem kandidat për Kryetar të Degës dhe të mos jem pjesë e garës për asnjë pozitë organizative në degë. Ky është një vendim i menduar, i qartë dhe përfundimtar për këtë proces.
Ky vendim nuk nënkupton tërheqje nga angazhimi im politik, nuk është heshtje e as lodhje, e aq më pak dorëzim. Përkundrazi, do të vazhdoj të jem i angazhuar, i pranishëm dhe i përkushtuar në çdo zhvillim ku kërkohet qëndrim, seriozitet dhe përgjegjësi para qytetarëve.
Besoj fuqishëm se koha që kemi përpara nuk është kohë për kalkulime të vogla, as për një pozitë mandatare, por për qartësi politike, vizion më të madh, riorganizim dhe besim të ri politik. Rruga ime në jetën publike mbetet e lidhur me përgjegjësinë, seriozitetin dhe shërbimin ndaj qytetarit.
Në këtë proces të brendshëm zgjedhor, do të jem i angazhuar për mbylljen sa më të suksesshme të tij, duke dhënë kontributin tim në ruajtjen e frymës demokratike, në mbështetjen e zgjedhjes së strukturës së re dhe të kryetarit të ri të Degës, si një obligim politik, statutar dhe organizativ që duhet ta përmbyllim me seriozitet dhe përgjegjësi.
Në fund, dua të falënderoj me respekt secilin aktivist, bashkëpunëtor dhe qytetar që ka qenë pranë meje në çdo etapë. Mbështetja dhe besimi i tyre kanë qenë dhe mbeten për mua jo privilegj personal, pot obligim për të vazhduar me dinjitet, përgjegjësi dhe qëndrim.
Me respekt, Nazim Gagica

