Drejtori i Administratës në Komunën e Gjilanit, Elbasan Shabani, ka pritur në një takim pune asistenten e OSBE-së për komunitetet, Vjollca Emini. Fokus i këtij takimi ishte trajtimi i sfidave specifike me të cilat përballet komuniteti RAE (Rom, Ashkali dhe Egjiptian) në këtë komunë.
Gjatë bashkëbisedimit u diskutua gjerësisht mbi Ligjin për të Huajt dhe ndikimin që ky ligj ka te pjesëtarët e këtij komuniteti.
Po ashtu, u adresuan problematika të ndjeshme që lidhen me: pajisjen me dokumentacion personal, procesin e integrimit shoqëror dhe lehtësimin e qasjes në shërbimet publike.
Drejtori Shabani dhe përfaqësuesja e OSBE-së vlerësuan takimin si një mundësi të mirë për të shkëmbyer informata dhe për të koordinuar hapat e ardhshëm.
Synimi i përbashkët mbetet përmirësimi i kushteve të jetesës dhe avancimi i të drejtave të komuniteteve, duke siguruar që asnjë qytetar i Gjilanit të mos mbetet jashtë vëmendjes institucionale.
