Roli i prindërve në jetën shkollore është i pazëvendësueshëm, dhe kjo u dëshmua sërish përmes një aksioni humanitar në fshatin Velekincë.
Prindërit e nxënësve parashkollorë të SHFMU “Mulla Idriz Gjilani” janë bërë bashkë për të investuar në komoditetin e fëmijëve të tyre, duke grumbulluar mjete vetanake për blerjen e një tepihu të ri për klasën.
Ky gjest fisnik ka gjetur falënderimin e menjëhershëm të stafit të shkollës. Në emër të institucionit, është shprehur mirënjohje e veçantë për iniciatoret Shemsije Shabani – Shkodra dhe Magribe Lakna, si dhe për të gjithë prindërit e tjerë që iu bashkuan kësaj nisme.
“E vlerësojmë lart këtë kontribut, pasi mundëson krijimin e një ambienti më të ngrohtë dhe më të përshtatshëm për nxënësit tanë më të vegjël. Bashkëpunimi i tillë mes shkollës dhe prindërve është çelësi i suksesit për edukimin e fëmijëve tanë,” thuhet në mesazhin e falënderimit të shkollës.
Ky veprim tregon se me vullnet dhe angazhim të përbashkët, mund të bëhen ndryshime pozitive që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e nxënësve në procesin mësimor.
