Afrim Myrtaj, heroi i gjallë që mposhti vdekjen në Zhegoc me 11 plumba në trup

Ish-zëdhënësi i UÇK-së për Zonën Operative të Karadakut, Ismet Sylejmani, ka sjellë një rrëfim prekës dhe plot heroizëm për luftëtarin Afrim Myrtaj, të cilin e cilëson si një “Hero të Gjallë”.

Myrtaj mbetet një nga figurat më emblematike të luftës çlirimtare në Malësinë e Zhegocit, duke simbolizuar sakrificën sublime të ushtarit shqiptar.

Gjatë luftimeve titanike të Epopesë së Zhegocit kundër forcave pushtuese serbe, Afrim Myrtaj u godit nga plumbat e armikut më shumë se 11 herë.

Megjithatë, përkundër plagëve të rënda që i rrodhën gjak rrëke, ai mbeti i pathyeshëm dhe i papërkulur, duke dëshmuar një moral të çeliktë që i la pa mend bashkëluftëtarët.

Sylejmani përshkruan pamjen e luftëtarit të njësisë speciale mes flakëve dhe tymit të betejës:

“Hapi i Tij ishte i vendosur, shikimi përpara dëshmon se ishte i pamposhtur! Afrim Myrtaj, sportisti i dikurshëm, në arenën e UÇK-së u shndërrua në luftëtar legjendar që nuk ndalej as kur trupi i goditej nga makineria luftarake serbe.”

Figura e Myrtajt, e krahasuar me atë të një Herkuli modern, simbolizon përgatitjen e lartë fizike dhe shpirtërore të rinisë shqiptare që rroku armët për liri.

Ai nuk ishte thjesht një ushtar, por një dëshmi e gjallë e triumfit të shpirtit mbi vdekjen, duke u bërë udhërrëfyes i guximit përballë rrezikut absolut.

Sot, sakrifica e tij vlerësohet si një nga gurthemelt e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Populli dhe Atdheu do t’i çmojnë përherë ata që nuk kursyen as gjakun e as jetën në momentet më vendimtare të historisë sonë kombëtare.

Afrim Myrtaj mbetet nishani i gjallë i asaj lufte titanike që i dha fund pushtimit shekullor.

 

Shpërndaj me të tjerët