Kadriu: Subjektet politike në Gjilan të trajtohen barabartë për selitë

Kushtrim Kadriu ngre çështjen e selive të partive politike, kërkohet barazi në shfrytëzimin e hapësirave publike

Kryetari i Lëvizjes Qytetare “Vatra”, njëherësh anëtar dhe ish-kryesues i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Kushtrim Kadriu, ka reaguar lidhur me një problematikë të kahmotshme në qytet, shfrytëzimin e objekteve publike nga subjektet politike.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Kadriu ka vënë theksin te pabarazia financiare që krijohet mes partive që shfrytëzojnë objekte shtetërore pa pagesë dhe atyre që detyrohen të paguajnë qira të larta.

Ai ka paralajmëruar se kjo çështje do të dërgohet për diskutim zyrtar në seancën e radhës të Kuvendit Komunal, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe transparente për të gjithë.

Më poshtë vijon komunikata e tij e plotë:

Çështja e selive për subjektet politike në Gjilan duhet të zgjidhet

Përmes kësaj komunikate, po ngremë një çështje me rëndësi lidhur me shfrytëzimin e hapësirave publike në Komunën e Gjilanit. Disa subjekte politike në Gjilan shfrytëzojnë hapësira publike, përkatësisht objekte shtetërore, si seli të partive të tyre. Ndërkohë, subjektet e tjera nuk e gëzojnë këtë mundësi dhe janë të detyruara të paguajnë qira, duke krijuar kosto të konsiderueshme financiare.

Kjo situatë krijon pabarazi dhe trajtim jo të barabartë ndërmjet subjekteve politike. Andaj, në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal do të kërkojmë që kjo çështje të trajtohet dhe të diskutohet mundësia e rregullimit të saj në mënyrë të drejtë dhe transparente për të gjitha subjektet politike.

 

Shpërndaj me të tjerët