Çfarë moti na pret deri të premten?

Java që sapo ka nisur do të karakterizohet nga një mot dinamik dhe tipik për stinën e pranverës.

Ndonëse do të ketë momente me diell të shkëlqyeshëm, masat ajrore do të pësojnë luhatje të shpeshta, duke sjellë reshje dhe shkarkime elektrike, për t’u stabilizuar plotësisht vetëm drejt fundjavës.

Lajmi i mirë vjen për bujqit, pasi temperaturat nuk pritet të zbresin nën zero në zonat e banuara, duke shmangur kështu rrezikun e ngricave.

E hëna ka nisur me diell, por gjatë orëve të pasdites pritet një destabilizim i atmosferës me reshje lokale shiu të shoqëruara me rrufe dhe temperatura deri në 18°C.

E marta do të jetë dita më e paqëndrueshme e javës, ku një sistem frontal do të sjellë reshje shiu në gjithë territorin, të cilat në zona të caktuara do të jenë më intensive dhe me shkarkime të forta elektrike, ndërsa maksimalet do të bien në 15°C.

Të mërkurën sistemi frontal do të fillojë të humbasë fuqinë, duke lënë pas vetëm riga të izoluara shiu dhe më shumë vranësira të shpërndara.

Ndryshimi i madh pozitiv pritet nga e enjtja dhe e premtja, ku parashihet një përmirësim i dukshëm dhe stabilizim i kushteve atmosferike.

Edhe pse mesdita do të jetë e ngrohtë me temperatura deri në 17°C, mëngjeset do të jenë mjaft të freskëta, me temperatura minimale që do të luhaten nga 0 deri në 3°C.

Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i veriperëndimit, duke u treguar më e vrullshme gjatë ditës së martë.

 

Shpërndaj me të tjerët