Drejtori i Administratës së Përgjithshme në Gjilan, Elbasan Shabani, ka pritur sot në një takim zyrtar përfaqësuesit e KFOR-it Turk, Majorin Rahmi Yildirim dhe nënoficerin Serkan Ergün.
Në këtë takim, drejtori Shabani ishte i shoqëruar nga u.d. shefi i Gjendjes Civile, Agron Idrizi, dhe zyrtarja Diellza Shehu.
Fokus i bisedës ndërmjet përfaqësuesve institucionalë dhe atyre të KFOR-it ishin çështjet me interes të përbashkët, me theks të veçantë te bashkëpunimi institucional, siguria dhe mbështetja e vazhdueshme për qytetarët e Gjilanit.
Gjatë takimit u rikonfirmua rëndësia e koordinimit të ngushtë ndërmjet institucioneve lokale dhe misionit të KFOR-it, si një faktor kyç për ruajtjen e stabilitetit dhe ofrimin e shërbimeve cilësore për të gjithë banorët pa dallim.
Drejtori Elbasan Shabani shprehu mirënjohjen e tij të thellë për angazhimin dhe kontributin e pamohueshëm të KFOR-it Turk në rajonin e Gjilanit.
Ai vlerësoi lart gatishmërinë e tyre për të vazhduar këtë partneritet në të mirë të komunitetit dhe për forcimin e sigurisë së përgjithshme.
