SHËNDETËSI / Fluks i madh pacientësh në Ortopedi, Spitali i Gjilanit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve

Menaxhmenti i Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan ka njoftuar opinionin publik se ambulanca specialistike e ortopedisë po përballet me një fluks të lartë të kërkesave, ku mesatarisht brenda një dite pune trajtohen rreth 55 pacientë.

Sipas njoftimit, ofrimi i këtij shërbimi mbetet mjaft specifik pasi shumica e rasteve kërkojnë koordinim të ngushtë me shërbimin e radiologjisë, gjë që ka shkaktuar vështirësi të përkohshme në sistemimin e radhëve të pritjes dhe menaxhimin e fluksit të qytetarëve.

Për të adresuar këtë situatë, spitali ka bërë të ditur se është duke zbatuar një plan emergjent për rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore, i cili do të mundësojë ndarjen e më shumë kohe për secilin pacient dhe sigurimin e një procesi më të rregullt pune.

Përveç numrit të madh të pacientëve, procesi i ofrimit të shërbimeve po ndikohet edhe nga faktori infrastrukturor, pasi institucioni aktualisht ndodhet në fazën e renovimit të shërbimeve kryesore.

Menaxhmenti ka kërkuar mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve që shfrytëzojnë këto shërbime, duke i siguruar ata se stafi i Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan është i angazhuar maksimalisht për të ofruar trajtim cilësor dhe në kohë, pavarësisht sfidave aktuale me hapësirat në renovim dhe fluksin e shtuar.

 

Shpërndaj me të tjerët