Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka bërë të ditur se kanë nisur kurset përgatitore falas për Testin e Maturës, të dedikuara për të gjithë maturantët e komunës.
Sipas tij, rreth 200 maturantë po marrin pjesë në këto kurse, të cilat po zhvillohen në Gjimnazin “Xhavit Ahmeti”, duke dëshmuar interesim dhe përkushtim të madh për përgatitje sa më cilësore para testit.
Hyseni ka shprehur mirënjohje për Shoqatën e Matematikanëve dhe për mësimdhënësit e gjuhës shqipe, të cilët po kontribuojnë në organizimin dhe mbajtjen e këtyre kurseve.
“Kurse përgatitore falas për Testin e Maturës për të gjithë maturantët e Gjilanit. Rreth 200 maturantë po marrin pjesë në këto kurse që po mbahen në Gjimnazin ‘Xhavit Ahmeti’, duke treguar përkushtim dhe interesim të madh për t’u përgatitur sa më mirë për Testin e Maturës”, ka thënë Hyseni.
Ai u ka uruar maturantëve suksese dhe rezultate sa më të mira në Testin e Maturës dhe në rrugëtimin e tyre të mëtejmë akademik.

