INFRASTRUKTURË / Banorët ankohen për gjendjen e rrugës “Pajazit Nushi” në lagjen Dheu i Bardhë

Një qytetar ka ngritur shqetësimin e tij, por edhe të banorëve të tjerë të lagjes Dheu i Bardhë në Gjilan, lidhur me gjendjen e rrugës “Pajazit Nushi”, e cila sipas tyre vazhdon të mbetet e papërfunduar që nga punimet e kryera para rreth një viti.

Sipas qytetarit, një pjesë e rrugës është asfaltuar, ndërsa pjesa tjetër ka mbetur me zhavorr, duke krijuar vështirësi të mëdha për qarkullim, veçanërisht gjatë ditëve me reshje.

“Kur bie shi, rruga bëhet pothuajse e pakalueshme. Ka shumë gropa dhe balta e vështirëson lëvizjen e banorëve dhe automjeteve”, ka deklaruar ai.

Banorët kërkojnë nga institucionet komunale që të ndërhyjnë sa më shpejt për përfundimin e punimeve dhe asfaltimin e plotë të rrugës, në mënyrë që të shmangen problemet me të cilat po përballen çdo ditë.

Ndërkaq, sipas banorëve, edhe punimet e tjera infrastrukturore që po zhvillohen në lagjen Dheu i Bardhë po ecin me një dinamikë shumë të ngadaltë. Ata thonë se në disa rrugë po realizohen ndërhyrje për herë të dytë, ndërsa ritmi i punimeve mbetet i ngathët, duke shkaktuar pakënaqësi dhe vështirësi shtesë për qytetarët.

Banorët shprehen se zvarritja e projekteve po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të komunitetit dhe kërkojnë më shumë angazhim nga institucionet përgjegjëse për përfundimin e tyre në afatet e parapara

 

Shpërndaj me të tjerët