Në ambientet e shkollës “Abaz Ajeti” në Gjilan, është mbajtur sot edicioni i tretë i Olimpiadës Komunale të Matematikës për klasat e pesta dhe të gjashta.
Ky eveniment i dijes, i organizuar nga Shoqata e Matematikanëve të Gjilanit, ka bërë bashkë rreth 70 nxënësit më të dalluar të komunës.
Kryetari i Shoqatës, Bregan Isufi, ka theksuar se përtej karakterit garues, ky organizim ka disa objektiva madhore.
Sipas tij, përveç masivizimit të pjesëmarrjes së nxënësve në gara, prioritet mbetet identifikimi i talenteve të matematikës që në moshë të hershme dhe nxitja e dashurisë për këtë lëndë, duke e parë atë jo vetëm si detyrë shkollore, por si një pasion që zhvillon logjikën.
Isufi ka bërë të ditur se tre më të mirët nga secila klasë do të përfaqësojnë Gjilanin në “Kupën e Matematikës”, e cila do të mbahet më 6 qershor në Kamenicë.
Ky aktivitet rajonal do të bashkojë nxënës nga Gjilani, Kamenica, Vitia, Lugina e Preshevës dhe pritet të ketë pjesëmarrës edhe nga Kumanova.
Me këtë organizim, Gjilani po dëshmon se tashmë e ka shndërruar në traditë përkushtimin ndaj shkencave ekzakte, duke u bërë një model suksesi për komunat e tjera në rajon.
Isufi ka njoftuar se rezultatet preliminare shpallen të martën, kurse ato finale të mërkurën.

