Drejtoresha e Kadastrës në Komunën e Gjilanit, Elhjesa Rashiti, ka mirëpritur vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e pronave në projektin e “Qarkores së Vjetër”.
Ky proces, i cili ka mbetur pezull për vite me radhë, prek zonat kadastrale në Shillovë, Livoç të Ulët dhe Gjilan, duke u hapur rrugë investimeve të reja dhe dëmshpërblimit të qindra familjeve gjilanase.
Më poshtë mund ta lexoni njoftimin e plotë të drejtoreshës Elhjesa Rashiti:
“Po përmbyllet procesi shumëvjeçar i shpronësimit të Qarkores së Vjetër të Gjilanit.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Vendimin përfundimtar për shpronësimin e pronave të paluajtshme që preken nga projekti “Qarkorja e Vjetër e Qytetit të Gjilanit”, në zonat kadastrale Shillovë, Livoç i Ulët dhe Gjilan.
Me këtë vendim, rreth 375 familje do të kompensohen për pronat e prekura nga realizimi i këtij projekti, duke marrë fund një çështje e pazgjidhur prej shumë vitesh. Përveç rëndësisë infrastrukturore dhe institucionale, ky proces përfaqëson edhe një mbështetje të rëndësishme për ekonominë lokale të Gjilanit, me mjete financiare që do të kthehen te qytetarët dhe bizneset e qytetit.
Shpreh falënderim për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe institucionet relevante për bashkëpunimin dhe angazhimin në përmbylljen e këtij procesi. Një mirënjohje të veçantë për stafin profesional të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, për punën, përkushtimin dhe angazhimin e vazhdueshëm gjatë gjithë fazave të këtij projekti.”

