SPORT / KJ “Gjilani” merr mbështetje nga vendi i xhudos, ja kush i vizitoi!

Klubi i Xhudos “Gjilani” ka forcuar lidhjet ndërkombëtare përmes një akti bujarie nga Japonia, vendi i origjinës së këtij sporti luftarak.

Ikuko Inoue, përfaqësuese e një organizate jo-qeveritare japoneze, ka ndarë një donacion për klubin gjilanas, duke mbështetur kështu zhvillimin e mëtutjeshëm të sportistëve të rinj.

Lajmin e ka bërë të ditur trajneri i mirënjohur i klubit, Ibrahim Hasani, i cili në shenjë mirënjohjeje i ka dorëzuar znj. Inoue një certifikatë falënderimi në emër të klubit dhe stafit profesional, të përbërë nga Esat Selimi dhe Drin Rexhepi.

Hasani u shpreh se ky gjest tregon fuqinë bashkuese të sportit:

“Xhudo nuk njeh kufij, vetëm respekt, miqësi dhe zhvillim për gjeneratat e reja. Jemi mirënjohës për këtë mbështetje dhe për besimin e treguar ndaj klubit tonë,” ka shkruar ai, duke shtuar një falënderim të veçantë edhe për Federatën e Xhudos së Kosovës për bashkëpunimin e vazhdueshëm.

Ky donacion vlerësohet si një shtysë e madhe për trajnimin e talenteve të rinj në Anamoravë, duke dëshmuar se fryma e xhudos vazhdon të ndërtojë ura midis Kosovës dhe botës.

 

Shpërndaj me të tjerët