ARSIM / Studentët e UP “Kadri Zeka” në vizitë studimore në Qendrën e Azilit në Magurë

Studentët e Fakultetit Juridik dhe të Fakultetit të Shkencave Sociale vizituan Qendrën e Azilit në Magurë

Studentët e Fakultetit Juridik dhe të Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, kanë realizuan një vizitë studimore në Qendrën e Azilit në Magurë, në kuadër të angazhimeve të tyre akademike për njohjen praktike të institucioneve publike dhe mekanizmave të mbrojtjes ndërkombëtare.

Gjatë kësaj vizite që u organizua nga PRC/K, në kuadër të Klinikës Ligjore, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me organizimin, funksionimin dhe aktivitetet e përditshme të kësaj qendre, si dhe me rolin e saj në menaxhimin e kërkesave për azil dhe mbrojtje ndërkombëtare në Republikën e Kosovës.

Përfaqësuesit e qendrës prezantuan para studentëve misionin dhe kompetencat kryesore të institucionit, duke përfshirë pranimin dhe akomodimin e personave që kërkojnë azil, ofrimin e kushteve bazë të jetesës dhe kujdesit humanitar, sigurimin e qasjes në shërbime shëndetësore, sociale dhe psikosociale, si dhe bashkëpunimin me institucionet relevante vendore dhe organizatat ndërkombëtare në trajtimin e rasteve të azilkërkuesve.

Po ashtu, studentët u informuan edhe për mbështetjen që ofrohet në procesin e integrimit të përkohshëm dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut për personat që strehohen në këtë qendër.

Vizita u vlerësua si një përvojë shumë e rëndësishme për studentët, pasi u mundësoi atyre të lidhin njohuritë teorike me praktikën institucionale, veçanërisht në fushat e së drejtës ndërkombëtare, të drejtave të njeriut dhe politikave sociale.

 

Shpërndaj me të tjerët