Atletico Madrid dhe Arsenal kanë ndarë pikët në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, duke mbyllur gjithçka me barazimin 1:1.
Një sfidë ku protagonistët kryesorë ishin goditjet nga “pika e bardhë” dhe sistemi VAR.
Takimi në “Metropolitano” nisi me një ritëm të matur, ku të dyja skuadrat u treguan të kujdesshme në fazën defensive.
Megjithatë, fundi i pjesës së parë solli shkëndijën e parë. Në minutën e 43-të, sulmuesi suedez Viktor Gyokeres u pengua brenda zonës, duke detyruar gjyqtarin të akordonte penallti. Vetë Gyokeres u tregua i saktë, duke i kaluar “Topçinjtë” në avantazh.
Pjesa e dytë nisi me presionin e vendasve. Në minutën e 55-të, një prekje e topit me dorë nga Ben White u shqyrtua nga sistemi VAR, i cili konfirmoi penalltinë për Atleticon. Julian Alvarez nuk gaboi, duke rikthyer baraspeshën në 1:1.
Drama arriti kulmin në minutën e 77-të, kur gjyqtari akordoi penalltinë e dytë për Arsenalin pas një rrëzimi të Maduekes.
Por, pas rishikimit të pamjeve në ekranin e VAR-it, vendimi u anulua, duke lënë shifrat të pandryshuara deri në vërshëllimën finale.
Gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit. Emri i finalistit të parë të këtij sezoni do të mësohet më 5 maj në stadiumin “Emirates” të Londrës, ku pritet një tjetër “betejë” epike.
