SPORT / Gjilani pëson disfatë  në Malishevë, ëndrra evropiane drejt shuarjes

SC Gjilani ka pësuar një goditje të rëndë në garën për vendin e tretë, duke u mposhtur me rezultat 3:1 nga rivali direkt, Malisheva, në kuadër të javës së 31-të të Albi Mall Superligës.

Ndeshja nisi keq  për kuqebardhët, teksa Xhemajl Ibishi zhbllokoi rezultatin që në minutën e 2-të.

Gjilani u mundua të kthehej në lojë, por Malisheva goditi përsëri në fund të pjesës së parë përmes Dren Kryeziut (45′), duke shkuar në pushim me avantazh të dyfishtë.

Në pjesën e dytë, shpresat për një përmbysje u shuan përfundimisht në minutën e 66-të, kur Ibishi realizoi golin e dytë personal dhe të tretin për skuadrën vendasve.

Pavarësisht se Gjilani arriti të shënonte golin e nderit, ky realizim shërbeu vetëm për statistika, pa mundur të ndryshojë fatin e takimit apo rezultatin përfundimtar.

Kjo disfatë i ka zhgënjyer tej mase tifozët “Skifterat”, pasi distanca me zonën që dërgon në Evropë tashmë është rritur.

Malisheva ngjitet në kuotën e 49 pikëve (vendi i 3-të), kurse Gjilani mbetet në vendin e 5-të me 44 pikë.

Me pesë pikë diferencë dhe vetëm pesë xhiro deri në fund, rrugëtimi i Gjilanit drejt garave ndërkombëtare është komplikuar seriozisht, duke kërkuar tashmë një mrekulli në ndeshjet e mbetura.

 

Shpërndaj me të tjerët