ARSIMI I LARTË/ Bashkëpunim akademik midis UKZ-së dhe UP-së

Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndëruniversitar, Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin Publik “Kadri Zeka” (UKZ), Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, së bashku me Prodekanin Prof. Ass. Dr. Blerim Haziri, kanë zhvilluar një takim pune në Departamentin e Historisë të Universitetit të Prishtinës (UP).

Përfaqësuesit e UKZ-së u pritën nga Shefi i Departamentit të Historisë, Prof. Ass. Dr. Mentor Hasani, si dhe nga Prof. Kujtime Boshtrakaj-Camaj, në një diskutim që u fokusua në avancimin e cilësisë akademike dhe shkencore.

Gjatë këtij takimi, palët shkëmbyen përvojat e tyre mbi procesin e mësimdhënies dhe organizimin institucional. Disa nga pikat kyçe të diskutuara përfshijnë:

Mundësitë për lëvizshmërinë e studentëve, me fokus të veçantë në nivelin Master, organizimi i konferencave apo punëtorive shkencore që ndërlidhin dy institucionet. praktikat më të mira për avancimin e standardeve në arsimin e lartë.

Përfaqësuesit e UP-së theksuan se shkëmbimi i ideve është jetik për zhvillimin institucional, ndërsa të dyja palët shprehën gatishmërinë e plotë për të thelluar këtë partneritet në interes të studentëve dhe stafit akademik.

Ky takim vlerësohet si një hap i rëndësishëm për ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme, duke krijuar ura të reja bashkëpunimi midis Gjilanit dhe Prishtinës në sferën e shkencave sociale dhe historisë.

 

Shpërndaj me të tjerët