Asambleisti Fadil Ademi “Vë në lëvizje” Ekohigjienën

Pas ankesave të shumta të qytetarëve për qarkullimin e mjeteve të rënda dhe aromave të pakëndshme në rrugët e qytetit, asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fadil Ademi, ka ndërmarrë hapa konkretë.

Ai është takuar sot me drejtorin e kompanisë “Ekohigjiena”, Senad Ramaj, për të adresuar disa nga problematikat më emergjente që po prekin banorët e Gjilanit dhe rrethinës.

Fokus i veçantë i këtij takimi ishin shqetësimet e banorëve të fshatit Velekincë, të cilët po përballen me qarkullimin e dendur të kamionëve të kompanisë në rrugët e fshatit, shpesh duke shkelur rregullat e trafikut dhe kufizimet e peshës.

Po ashtu, Ademi ngriti çështjen e rrjedhjeve nga kamionët e mbeturinave, të cilat po shkaktojnë kundërmim të rëndë nëpër rrugët e qytetit, duke u shndërruar në një shqetësim për shëndetin publik dhe ambientin.

Gjatë takimit u diskutuan këto pika kyçe: problematika në Velekincë, zgjidhja e qarkullimit të kamionëve të rëndë në rrugët e fshatit, higjiena urbane, ndalimi i rrjedhjeve të lëngshme nga kamionët që shkaktojnë aromë të rëndë në qytet dhe mbeturinat në Llovcë, kërkesa urgjente e banorëve të këtij fshati për grumbullimin e rregullt të mbeturinave.

Sipas asambleistit Ademi, drejtori i “Ekohigjienës” ka shprehur gatishmëri të plotë për të ndërhyrë dhe për të ofruar zgjidhje të shpejta.

“U dakorduam të ndërmarrim hapa konkretë. Do të vazhdoj të jem pranë shqetësimeve të banorëve dhe të përcjell zërin e tyre në institucione, sepse çdo problem i qytetarit meriton zgjidhje reale,” deklaroi Ademi pas takimit.

Ky angazhim vjen si reagim ndaj degradimit të mjedisit në zona të caktuara dhe synon të rikthejë rregullin në qarkullimin e mjeteve të transportit të mbeturinave, duke mbrojtur infrastrukturën dhe qetësinë e banorëve.

 

Shpërndaj me të tjerët