Nga Murat Hoxha
IN MEMORIAM / 22 vjet
Me Avniun u takuam për herë të parë në vitin 1970, në konviktin e ri të nxënësve dhe studentëve të Gjakovës.
Ishim të dy të rijë, unë isha 14, ndërsa ai një vjet para meje. Ai ishte në një formë siguria e jonë, sepse ishte djalë i fortë i pashëm dhe shumë i dashur.
I gjithanshëm ishte Avniu, luante shumë futboll në fushën pas normales së Gjakovës, na siguronte biletat për kinema, na printe në korzon e qytetit, të gjitha këto pas orarit të shkollës dhe kohës së studimit në konvikt i cili ishte obligativ.
Avniu edhe si nxënës kishte shumë shoqëri madje edhe nga drejtime të tjera të shkollës teknike apo edhe gjimnazi.
Ai ishte “ kapiten” i komunikimit. Nuk e duronte padrejtësinë qoftë edhe nga ndonjë profesor, por i tejkalonte ato me urtësi. Kishte humor të këndshëm që e bënte të dashur me të gjithë.
U diplomuam bashkë, thuaja që njëkohësisht edhe u punësuam në “kadastrën”e Gjilanit. Ishim bashkë në ekipe.
Ne të dy ishim komplementarë sepse plotësonim njëri tjetrin, që na bënte të fuqishëm profesionalisht, në komunikim dhe sjellje në kolektiv. Gjithmonë ishte me humor dhe simpati të veçantë.
Edhe në kohën sa isha udhëheqës i institucionit të kadastrës. raportet me Avniun ishin të veçanta, ato i tejkalonin raportet zyrtare madje ishim me shumë se shoqërore.
Vizitoheshim shpesh në shtëpinë e njëri tjetrit, babai i Avniut, aga Hasan një burrë i urtë, punëtor dhe i menqur, por edhe teta Rabi ( nëna e Avniut) që ishte edhe kusherinë e nënës sime, gëzohej kur na shihnin bashkë të përkushtuar për punë dhe problematika të azhurnimit kadastral por edhe për entuziazmin tonë si gjeometra të gjeneratave të para.
Avniu e mbërriti LIRINË, krijoi familje të mrekullueshme, shumë ia kishin lakmi dhe evokonin lavde për arritjet e tij në punë dhe biznes privat, arriti kompetenca të larta si gjeodet, si fermer edhe prodhues të materialeve ndërtimi.
Krijoi një autoritet jo vetëm në fshatin e lindjes Pogragjë por edhe në komunën e Gjilanit e më gjerë.
Më 1988 ishte njëri prej kandidatëve të shpallej si punëtorë më i miri i komunës, për rezultatet në punë, sjellje dhe komunikim të shkëlqyeshëm.
Pati sfida dhe vështërsi për të mbajt dy pleq ( nënën dhe babain) gruan dhe dy djemtë të cilë ishin si drita. Ia doli me sukses.
U shua i ri pa i përjetuar të arriturat e pasluftës, pa ju rrëfye të rinjve për atë që ai ishte krenarë, pa ju dhënë mesazhin të cilin e kishte gjithmonë në zemër.
I gjithëfuqishmi e mori atëherë kur ai më së shumti i duhej familjes, kolegëve dhe shoqërisë gjilanase.
Qoftë i paharruar kujtimi për Avniun. Veprat, sjelljet dhe dashuria e tij do mbeten model për breza të tërë.
Tani ai besojmë që është në Parajsë me prindërit, vllaun dhe kolegët si Mahmut Bajrami, Shaqir Jashari, Avni Arifi, Ali Huruglica, Murat Saliu, Bedri Haxhiu, Ramiz Berisha e të tjerë të cilëve një ditë do u bashkohemi edhe ne, për tu lënë këtë botë gjeneratave të reja, me dije dhe perspektivë më të mirë.
U prehtë në paqe kolegu e shoku i ynë Avni Januzi.

