Banorët e Malishevës ndërtojnë shtëpi për familje në nevojë

 

Banorët e Malishevës në Gjilan bashkohen për një kauzë humane, ndërtojnë shtëpi për familje në nevojë

Fshati Malishevë në Gjilan vazhdon të dëshmojë solidaritet dhe humanizëm, duke u bërë shembull i përkushtimit komunitar në ndihmë të atyre që kanë më shumë nevojë.

Aktualisht, banorët e këtij fshati kanë mobilizuar mjete vetanake dhe kontribute vullnetare për ndërtimin e një shtëpie për një familje në nevojë.

Punimet janë duke vazhduar me intensitet të lartë dhe projekti po i afrohet fazës përfundimtare.

Përmes një njoftimi publik, banorët kanë falënderuar të gjithë kontribuuesit për mbështetjen e deritanishme, qoftë financiare apo materiale, duke theksuar se çdo ndihmë, sado e vogël, ka një vlerë të madhe në realizimin e këtij projekti humanitar.

Ata kanë bërë thirrje që solidariteti të vazhdojë edhe më tej, në mënyrë që sa më shpejt të finalizohet ndërtimi i shtëpisë dhe t’i ofrohet një strehë e sigurt familjes përfituese.

“Së bashku mund të ndërtojmë jo vetëm një shtëpi, por edhe shpresë dhe siguri për një familje”, thuhet në njoftimin e grupit inicues.

Ky veprim i banorëve të Malishevës mbetet një shembull i fuqishëm i bashkimit dhe humanizmit në shoqërinë tonë.

Shpërndaj me të tjerët