Ndonëse bankat e saj nuk presin më nxënës, shkolla e fshatit Sefer në Malësinë e Karadakut po i nënshtrohet një renovimi të plotë.
Përmes një aksioni vullnetar, njerëz të vullnetit të mirë kanë grumbulluar rreth 8,500 euro për të parandaluar shkatërrimin e kësaj ndërtese me rëndësi historike për zonën.
Sali Nuhiu, një nga organizatorët e këtij aksioni, ka bërë të ditur se të gjitha mjetet e grumbulluara janë orientuar vetëm për blerjen e materialit dhe punët me ekskavator.
E gjithë mjeshtëria dhe puna fizike është kryer falas nga vetë banorët dhe njerëzit e vullnetit të mirë, të cilët kanë punuar me javë të tëra për ta rikthyer shkollën në gjendje të rregullt.
Deri më tani, punimet kanë përfshirë një gamë të gjerë ndërhyrjesh: instalimi i pjesshëm i rrymës dhe ujësjellësit, vendosja e dyerve dhe dritareve të reja, lyerja e mureve dhe veshja e tavanit me llamperi plastike, ndërrimi i tërësishëm i kulmit, rregullimi i oborrit, mbushja me zhavorr dhe rrafshimi i tij.
Në një kohë kur shumë objekte të tilla në fshatrat malore lihen në mëshirë të kohës, banorët e Seferit kanë një vizion tjetër.
Nuhiu shpjegon se qëllimi është që ky objekt të shërbejë si shtëpi e përbashkët për “Takimet e Vendlindjes”, në mënyrë që tubimet të mos mbahen më nëpër shtëpi private.
“Duam ta kemi si monument e ndoshta në të ardhmen ta bëjmë edhe si muze”, ka thënë Nuhiu, duke theksuar se ruajtja e shkollës është ruajtje e kujtesës kolektive të fshatit.
Punimet po vazhdojnë dhe komuniteti mbetet i angazhuar për ta çuar deri në fund këtë nismë që ruan trashëgiminë e fshatit Sefer.

