Drejtori i Administratës së Përgjithshme në Gjilan, Elbasan Shabani, i shoqëruar nga zyrtari i arkivës, Ilir Sejdiu, ka realizuar sot një vizitë pune në Arkivin Ndërkomunal të Gjilanit.
Gjatë kësaj vizite, ata u pritën nga drejtori i këtij institucioni, Nazmi Muja, me të cilin diskutuan mbi organizimin dhe sistematizimin e dokumentacionit institucional.
Në fokus të vizitës ishte funksionimi i arkivit, i cili vlerësohet si një nga shtyllat kryesore për ruajtjen e memories historike dhe zyrtare të komunës.
Drejtuesit e administratës panë nga afër procesin e punës, duke vlerësoi lart rendin dhe standardin e krijuar në këtë institucion.
“Ajo që bie në sy është përkushtimi i lartë dhe puna profesionale e bërë nga drejtori Muja dhe stafi i tij. Sistematizimi i dokumenteve, ruajtja e tyre në kushte të përshtatshme dhe qasja e lehtësuar për qytetarët janë dëshmi konkrete e një pune serioze dhe vizionare,” u shpreh drejtori Shabani.
Ky model i menaxhimit të arkivës u cilësua si një shembull i mirë që duhet ndjekur edhe nga institucionet e tjera, duke garantuar siguri dhe efikasitet në trajtimin e dokumentacionit me vlerë të veçantë për qytetin e Gjilanit dhe rajonin.
