Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, ka zhvilluar një takim në Prishtinë me Zëvendëskryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Prof. As. Dr. Dardan Vuniqi, në kuadër të diskutimeve për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimin e mundësive profesionale për studentët.
Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe institucioneve të drejtësisë, me fokus të veçantë në zhvillimin e kompetencave profesionale të studentëve, organizimin e praktikave profesionale, seminareve të përbashkëta dhe projekteve kërkimore-shkencore.
Me këtë rast, Prof. As. Dr. Vuniqi theksoi se takimi me Prof. Asoc. Dr. Selim Daku ishte një mundësi e vlefshme për të shkëmbyer ide dhe për të diskutuar për bashkëpunimin ndërinstitucional, veçanërisht në çështjet që ndërlidhen me zhvillimin e kompetencave profesionale, praktikën profesionale, si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët strategjik.
Ai vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të arsimit të lartë, duke theksuar se përfshirja e studentëve në procese praktike dhe profesionale ndikon drejtpërdrejt në ngritjen e kapaciteteve të gjeneratave të reja dhe në avancimin e sistemit të drejtësisë në vend.
Gjithashtu, Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, shprehu gatishmërinë e UKZ-së për bashkëpunim, përfshirë organizimin e praktikave profesionale për studentët e programeve të drejtësisë dhe shkencave sociale, seminareve të përbashkëta dhe projekteve kërkimore-shkencore.
Prof. Asoc. Dr. Daku theksoi se bashkëpunimi me institucionet e sistemit prokurorial është me rëndësi të veçantë për përgatitjen akademike dhe profesionale të studentëve, duke shtuar se përvoja praktike dhe kontakti i drejtpërdrejtë me institucionet e drejtësisë kontribuojnë në zhvillimin e kuadrove profesionale dhe të përgjegjshme.
