Skuadra e Drenicës ka arkëtuar tri pikë jetike në garën për mbijetesë, duke mposhtur liderin e kampionatit, Dritën, me rezultat minimal 1:0.
Në ndeshjen e vlefshme për javën e 29-të të Superligës, “Kuqezinjtë” nga Skenderaj treguan karakter të fortë, duke marrë një fitore që i ngjit në pozitën e shtatë me 35 pikë të tubuara.
Momenti vendimtar i takimit erdhi në minutën e 41-të. Pas një aksioni të ndërtuar mirë dhe një organizimi të rrjedhshëm, Ronaldo u gjend mjaft mirë në zonë, duke mposhtur portierin Maloku nga afërsia për t’i dhënë epërsinë skuadrës vendase.
Përkundër kësaj disfate, Drita vazhdon ta mbajë lidershipin në tabelë.
Diferenca prej pesë pikëve ndaj Ballkanit ndjekës i lejon gjilanasit të ruajnë pozitën e parë, ndonëse ky humbim vjen si një paralajmërim për javët e mbetura të kampionatit.
Përtej rezultatit, vëmendja e të gjithëve mbeti te gjendja shëndetësore e mbrojtësit të Dritës, Egzon Bejtullahi.
Gjatë një dueli, ai u godit me top në kokë dhe u detyrua të dërgohej me urgjencë në ambulancën specialistike për trajtim të mëtutjeshëm.
Ky lëndim ka krijuar shqetësim në taborin e gjilanasve, të cilët presin lajme pozitive për gjendjen e shtyllës së tyre të mbrojtjes.
