Gjilani dhe Kamenica prezantojnë potencialet ekonomike para biznesmenëve në Bursa të Turqisë
Një delegacion nga rajoni i Anamoravës, i shoqëruar nga ish-kandidati për deputet, Albert Selishta, ka zhvilluar një takim pune tejet produktiv në Bursa të Turqisë me kryesinë dhe anëtarët e shoqatës së njohur të industrialistëve nga Ballkani, “Rumelisiad”.
Pjesë e këtij delegacioni ishin drejtori i Zhvillimit Ekonomik të Gjilanit, Haki Huruglica, drejtori i Zhvillimit Ekonomik të Kamenicës, Edon Dermaku, si dhe zëdhënësi i Komunës së Gjilanit, Eronit Hajdari.
Në këtë takim mori pjesë edhe veprimtari i mirënjohur në Turqi, Recep Gündüz.
Gjatë bashkëbisedimit me biznesmenët turq, u prezantuan në detaje mundësitë dhe lehtësirat që ofrojnë Gjilani dhe Kamenica për investitorët e huaj.
Shoqata “Rumelisiad” numëron mbi 300 kompani anëtare, të cilat operojnë kryesisht në sektorin e prodhimit, duke përfaqësuar një potencial të madh për partneritete të ardhshme ekonomike.
Ky mision ekonomik u mundësua falë angazhimit të Albert Selishtës, i cili pas një përvoje mbi 15-vjeçare në Bursa, gëzon lidhje të forta me komunitetin e biznesit atje.
Ky takim pritet t’i hapë rrugë investimeve të reja që do të ndikonin drejtpërdrejt në hapjen e vendeve të punës dhe zhvillimin e mëtejmë të Gjilanit dhe Kamenicës.
